“6 mijë euro neto për 3 muaj”, pronari nuk gjen staf dhe bën shpalljen në facebook, "lumë" aplikimesh
Pronari i një minimarketi në Orbetello (Grosseto), Edoardo Minicucci, nuk ishte në gjendje të gjente në asnjë mënyrë staf, ndaj vendosi të lëshojë një njoftim tërheqës përmes rrjeteve sociale.
“Kërkoj personel. Paga për tre muaj: gjashtë mijë euro neto plus një fundjavë relaksuese për dy persona në fund të sezonit. Puna e kërkuar: asistent shitës. Nuk ka punë nate. Ditë e Lirë. Eksperienca e nevojshme por jo thelbësore. Kërkesat: seriozitet dhe dinamizëm. Periudha e punës: Qershor, Korrik, Gusht”, shkruhet në një tabelë të mbajtur nga Minicucci në një foto të postuar në Facebook.
Monicucci, i cili është në kërkim të tre punonjësve, thotë se "vetëm rroga nuk tërheq më dhe kështu vendosa të jap një fundjavë relaksi në fund të sezonit”.
Njoftimi u postua të mërkurën dhe që atëherë ka marrë kërkesa të shumta.
“Na vjen keq, por për shkak të numrit të madh të kërkesave (tani jashtë kontrollit) ne nuk jemi më në gjendje t'i përgjigjemi personalisht të gjithëve. Për të qenë të saktë, tashmë kemi bërë intervista të shumta dhe jemi në proces vendimmarrjeje. Megjithatë, ju falënderojmë për interesimin dhe ju urojmë mbarësi”, shkruhet në faqen e tregtarit dhe minimarketit në Facebook.


