Thyen stolat e stadiumit “Elbasan Arena” dhe kundërshtuan punonjësit e policinë pas ndeshjes Partizani-Tirana, dy në pranga

Dy persona janë arrestuar ditën e sotme në Tiranë pasi shkatërruan një pjesë të stolave të stadiumit “Elbasan Arena”, pas ndeshjes Partizani-Tirana, dhe kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë. 

Policia bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasit E. V., 29 vjeç banues në Laprakë dhe E. D., 21 vjeç, banues në Yzberisht, Tiranë, dhe përballen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

"Këta shtetas, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë që ishin futur në stadiumin “Elbasan Arena”, sipas rregullave, për të parë ndeshjen e futbollit, në përfundim të ndeshjes, kanë shkatërruar një pjesë të stolave të stadiumit dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë."- njofton policia.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që u përfshinë në shkatërrrimin e stolave të stadiumit dhe të kundërshtimit ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.