Zyrtare/ Chelsea shitet për 5 miliardë por Abramovich mbetet me “gisht në gojë”
Jo 3, as 4 por plot 5 miliardë dollarë. Chelsea zyrtarizon transferimin e aksioneve nga duart e Roman Abramovich te manjati amerikan, Todd Boehly pronar i skuadrës së njohur të bejsbollit, Los Angeles Dodgers.
Është pikërisht klubi londinez që njofton arritjen e marrëveshjes dhe thekson se zyrtarizimi do të bëhet në fund të muajit maj, në pritje të plotësimit të të gjitha detajeve teknike dhe ligjore. Komunikata vijon si më poshtë
“Është gjetur gjuha e përbashkët për shitjen e shoqërisë drejt një grupi të drejtuar nga Todd Boehly, Clearlake Capital, Mark Walter e Hansjoerg Wyss. Nga investimi në total, 2.5 miliardë stërlina do të përdoren për blerjen e klubit dhe e gjithë shuma do të depozitohet në një llogari të ngrirë në Britaninë e Madhe që më pas do të dhurohet për bamirësi ashtu siç e ka bërë të ditur edhe Roman Abramovich.
Do të jetë i nevojshëm miratimi i qeverisë për të transferuar paratë ë llogarinë bankare të ngrirë. Pronarët e rinj janë të gatshëm që 1.75 miliardë stërlina t’i përdorin për zhvillimin e klubit që përfshin investime në stadium, akademi, ekipin e femrave dhe për Fondacionin Chelsea”.
