Reja kërkon vendin e parë në grupin e Ligës së Kombeve: Mungesa e Rusisë është avantazh
Trajneri Edoardo Reja i vlerëson dy ndeshjet e qershorit me Islandën dhe Izraelin si shumë të rëndësishme për skuadrën kuqezi në kuadër projektit të nisur tre vite më parë pikërisht me një sfidë ndaj ishullorëve. Trajneri i Kombëtares Shqiptare pohon se mungesa e Rusisë është një avantazh i madh për skuadrën tone, por shton se Shqipëria duhet ta tregojë në fushën e lojës së sa vlen:
“Në përgjithësi po luajnë të gjithë rregullisht. Broja diçka më pak pasi ka pasur nje dëmtim te lehtë. Ndoshta do të jetë në formë të mirë kur të bashkohet me skuadrën sepse ka punuar shumë. Kemi rikupruar Dermakun dhe pres lajme nga Abrashi që sapo ka nisur të aktivizohet. Pjesa tjetër është në gjendje shumë të mirë sepse po luajnë pothuajse në vazhdimësi.
Është e qartë se Rusia konsiderohej skuadra më e fortë e grupit dhe në këtë këndvështrim mund të jemi të avantazhuar por vetëm me fjalë sepse përpara kemi ndshjen me Islandën dhe më pas me Izraelin, dy skuadra në nivelin tonë. Duhet të bëjmë shumë mirë dhe të synojmë të fitojmë grupin.
Ky është objektivi jonë kryesor. Kemi gjithashtu edhe dy data të lira për dy miqësore dhe duhet ta mbushim këtë boshllëk. Për katër perballje duhet të ndërtoj një skuadër të bollshme sepse do të luajmë cdo tre ditë e kjo do të jetë e vështirë. Duhet të bëjmë llogaritë edhe me kundërshtarin sepse ndoshta Islanda do të jetë në gjendje të mirë fizike por nëse do të jemi edhe ne, atëherë nuk mund të kemi frikë nga askush".
Në intervistën dhënë për RTSH, Reja ndalet më pas te lista dhe debutimet e mundshme:
“Nuk mendoj se lista do të ketë risi sepse kam në dispozicion një skuadër shumë të re. Do të shohim cfarë ndryshimesh mund të bëjmë vitin tjetër. Kam shumë alternativa në sulm si Manaj, Broja, Cikalleshi e Balaj. Muçi gjithashtu është një emër që e kam parasysh.
Më vjen keq për Baren që nuk do ta kem në dispozicion për ndeshjet e qershorit pasi ka pasur probleme në gju dhe do të mungojë rreth 40 ditë. Do të thoja se kjo është një periudhë vendimtare pasi në fund të ndeshjeve me Islandën e Izraelin do të bëjmë disa llogaritje. Do të qëndrojmë bashkë 10 ditë dhe do të bej vlerësimet e duhura.Zgjedhjet do t’i bëj unë dhe do të varet shumë edhe nga unë ajo që do të ndodhë në këto dy sfida”.
Në fund, Reja ndalet edhe te finalje e Conference League që do të luhet në 25 maj në Tiranë:
“Ky është një eveniment shumë i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare edhe pse nisi në formë eksperimentale. Tani ka marrë shumë peshë dhe mendoj se do të jetë një vitrinë për të reklamuar futbollin shqiptar. Uroj që organizimi të jetë perfekt mënyrë që t’u tregojmë të tjerëve se cfarë jemi në gjendje të bëjmë, jo vetëm në aspektin sportiv”.
