Futbolli i femrave/Do të shtohet një kategori por do të rriten edhe shpërblimet nga FSHF

FSHF kalon nga fjalët te veprat shumë shpejt. Pak javë pas fitores së Armand Dukës në zgjedhjet për mandatin e gjashtë, ka nisur puna për ristrukturimin e futbollit shqiptar dhe tashmë në praktikë janë marrë masat e para për ndryshime të rëndësishme.

Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformimin e Rregulloreve të FSHF me Komisionin e Përhershëm të Futbollit të Femrave u konsultuan propozimet të ardhura deri tani në komision për ndryshimin e formatit të garës dhe krijimin e një kampionati tjetër. Komunikata e plotë vijon si më poshtë;

“U dëgjuan problematikat aktuale që kanë klubet në organizimin dhe zhvillimin e futbollit të vajzave dhe, ndërkohë që u vlerësua kontributi i rëndësishëm financiar që Federata Shqiptare e Futbollit ka dhënë në mbështetje të futbollit të vajzave, u diskutua skema e mbështetjes financiare.

Po ashtu në komision pjesëmarrësit propozuan edhe shqyrtimin e mundësisë për rritjen e shpërblimeve për ekipet që fitojnë trofe, duke qenë se ka diferencë shumë të madhe mes ekipeve të meshkujve dhe vajzave. Anëtarët e dy komisioneve kanë zhvilluar takim edhe me përfaqësues të klubeve të Kategorisë së Parë për të folur në lidhje me mundësitë e zhvillimit të futbollit të vajzave.

Konsultimet do të vazhdojnë edhe në takime të tjera, ndërkohë që klubeve u është bërë e qartë për kushtet e licencimit që do të vendosen, ku përcaktohet qartë se një klub duhet të ketë një skuadër vajzash për t’u pajisur me licencë”.