Edi Paloka rizgjidhet kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së
Edi Paloka zgjidhet kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ndërsa për procesin për zgjedhjen e Presidentit të ri në rezolutën e tyre demokratët deklarojnë se nuk do të bëhen pjesë e farsës së mazorancës. Ndërkaq, 36 deputetë të PD-së bojkotojnë mbledhjen e Këshillit.
Konstituohet Këshilli i ri Kombëtar i Partisë Demokratike, anëtarët e të cilit u zgjodhën në Kuvendin e 30 prillit, ku pas numërimit të votave të 211 anëtarëve, Edi Paloka, fitoi garën përballë Eleina Qiricit duke u zgjedhur kryetar i këtij Këshilli me 132 vota kundrejt 79 votave që mori ish-deputetja.
Paloka: Më e rëndësishme se rizgjedhja ime në krye të Këshillit Kombëtar ishin vendimet që mori sot Këshilli Kombëtar. U miratua një rezolutë që përcakton qëndrimin e PD lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit ku përcaktohet qartazi qëndrimi që duhet të mbajë grupi parlamentar pasi siç e dini Këshilli Kombëtar është organi më i lartë që përcakton linjën politike të PD.
Lidhur me bojkotin e deputetëve, ai pati këtë koment.
Paloka: Ju e quani bojkot, sot ishin të pranishëm mbi 211 anëtarë të Këshilli Kombëtar.
Me konstituimin e Këshillit Kombëtar dhe zgjedhjen e kryetarit të tij, Partia Demokratike nis zyrtarisht "stinën e protestave".
Lajmin e dha kryetari i rizgjedhur i Këshillit Edi Paloka.
Paloka: Nesër në gjithë Shqipërinë me organizimin e PD do të ketë një protestë të heshtur para gjithë komisariateve në rrethe për aktin e rëndë që ka ndodhur ku një i ri u gjet i vdekur në qelinë e komisariatit të Kavajës dhe pavarësisht se cili është fakti dhe e vëretta që do të dalë nga hetimi ky është një akt i rëndë që bën përgjegjës këtë qeveri, policinë e shtetit dhe nuk është akti i vetëm. Nesër në orën 8 para gjithë komisariateve në gjithë rrethet e Shqipërisë, ndërsa në Tiranë para Kryeministrisë, do të ketë një protestë të heshtur të anëtarëve dhe të rinjve të PD. Do të ndizen qirinj para këtyre institucioneve.
Mbledhja konstituese u hap nga Bujar Kapexhiu, anëtar i këtij Këshilli, i cili lexoi edhe pikat e rendit të ditës.
Më pas deputeti Oerd Bylykbashi paraqiti draft-rezolutën për miratim nga Këshilli mbi procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, e cila u miratua me shumicë votash.
Bylykbashi: Këshilli Kombëtar i PD me këtë rezolutë vendos: PD do të shprehë vullnetin e saj për zgjedhjen e Presidentit me votën e deputetëve të grupit të saj parlamentar në çdo rast pa u bërë pjesë e farsave institucionale të mazhorancës. Mandatohet Komisioni i Përkohshëm i PD të caktojë përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare në procesin e zgjedhjes së Presidentit në Kuvend.
Në rast se në procesin politik dhe parlamentar të gjetjes së kandidaturave krijohen kushtet për konsensus për votimin e Presidentit nga kandidatë të propozuar nga opozita mandatohen përfaqësuesit e PD që bashkarisht me përfaqësuesit e tjerë të partive opozitare të propozojnë kandidatë në raundet e përcaktuara nga Kushtetuta.
Çdo alternativë që mundëson zgjedhjen e Presidentit me votat e PS, apo pa konsensus politik të vërtetë, do të refuzohet me votë në Kuvend. Grupi Parlamentar i PD, siguron zbatimin e qëndrimit politik të PD, të përcaktuar në këtë rezolutë. Çdo qëndrim që bie ndesh me këtë rezolutë detyruese dhe tagrat përfaqësuese politike të rrjedhura nga vendimet e organeve përfaqësuese të PD, nuk përfaqësojnë PD-në në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Në mbledhejn e Këshillit Kombëtar të PD ishte e pranishme dhe ish-deputetja Rudina Hajdari.
Gjatë fjalës së saj ajo ftoi të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar të bëhen pjesë e debatit.
Teksa i referohej të kaluarës në Partinë Demokratike ajo tha se i duhet dhënë fund kryetarokracisë.
Hajdari: Dhe mendoj se ne do të rikthehemi drejt atyre shinave dhe ti japim fund kryetarokracisë dhe të kuptojmë që jemi të gjithë të rëndësishëm në këtë sallë.
Ish-deputetja shprehu pendesë dhe për faktin që është larguar nga PD dhe pse u përjashtua.
Hajdari: Dhe kërkoj dhe një falje. Nuk do të ketë më njeri që të më përjashtojë nga kjo sallë. Do të jem këtu dhe është faji im që pranova përjashtimin e ish liderit. Nuk duhet ta kisha pranuar dhe nuk do të lejoj kurrë asnjë tjetër dhe nëse më përjashtojnë të iki nga kjo sallë. Këtu do rri bashkë me ju dhe kështu duhet të jetë betimi i gjithësecilit prej jush.
