Reformë në burgje, Manja takim me drejtuesit, paralajmëron kallëzime penale për abuzuesit
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka zhvilluar sot një takim me strukturat më të larta drejtuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe drejtuesit e IEVP-ve. Në fokus të takimit ka qenë analiza e punës në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Në një postim në facebook, Manja thotë se në takim ka tërhequr vëmendjen për probleme të trashëguara, por në disa raste thotë se ka vërejtur se problemi janë vetë drejtuesit dhe marrëdhëniet mes tyre.
Ai ka kërkuar rishikimin urgjent të udhëzimeve, apo akteve të shumë e shumë viteve përpara, të cilat bien ndesh me vizionin e tyre.
Ministri ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për të punuar për kuadrin rregullator nënligjor dhe çdo akt të shihet në kuadër të rregullores së re.
Po kështu ai ka urdhëruar që çdo gradim, apo emërim nuk duhet të kalojë asnjë shkallë pa filtrin e pastërtisë së figurës.
Manja ka paralajmëruar kallëzime penale të zinxhirit drejtues, deri tek abuzuesit, për punonjësit që kanë neglizhuar kryerjen e detyrës pa arsye dhe janë lejuar për këtë.
Gjithashtu mbylljen e objekteve që shesin pranë IEVP, duke nisur shumë shpejt zbatimin e strategjisë si në të gjitha vendet perëndimore. Projekti pilot nis në tre, ose katër IEVP menjëherë dhe më pas shtrihet në të gjitha IEVP.
Një paralajmërim ai tha edhe për marrëdhëniet nepotike, komunikimin jo vetëm mes stafit, por edhe staf-persona në konflikt me ligjin, kujdesin e shtuar dhe rregullin për takimet pas heqjes së kufizimeve anti-Covid, menaxhimin e banorëve të IEVP nëpërmjet fjalës e jo mjeteve shtrënguese.
Ministri premtoi verifikimin në çdo IEVP personalisht të të gjitha ankesave të ardhura nga vetë të dënuarit në celularin tim, duke nisur me pyetjen e parë se ku e kanë gjetur celularin për komunikim.
Masterplanin e sistemit duke shkuar drejt mbylljes së disa IEVP dhe krijimit të strukturave të mëdha në përshtatje edhe me hartën e re gjyqësore.
Rikonceptimin e menaxhimit të burimeve njerëzore edhe në bazë të qendrave të banimit. Po kështu ai dha afate zgjidhjen e problemit të uniformave, trajtimit financiar dhe trajtimit ushqimor për stafin, ngritjen e një policie burgjesh model, bazuar në sistemin e karrierës dhe gradave dhe trajtimin me prioritet maksimal të punësimit në IEVP në bashkëpunim me sistemin privat.


