Vetëvrasja në komisariatin e Kavajës, Ministria e Brendshme “mbrohet” me procedurën për vdekjen në qeli
Ministria e Brendshme fshihet pas hetimit për vdekjen e 31 vjeçarit Ilvi Meta në komisariatin Policisë së Kavajës, ashtu siç ka bërë pas çdo ngjarje të rëndë.
Zv/ministri i Brendshëm Andi Mahila u mbrojt me fjalinë ‘çështja është në Hetim” kur në Vlorë u pyet për rastin e përsëritur të vdekjeve në duart e uniformave blu.
“Kjo është një çështje në hetim, dhe kur është në hetim pritet të dalin rezultatet. Ajo që di të them është strukturat e varësisë së Ministrisë së Brendshme, dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë vepruar në mënyrë të menjëhershme për të nisur hetimet. Kanë dalë vlerësimet paraprake, të presim deri në fund…”
31 vjeçari Ilvi Meta sipas hetimeve paraprake i dhe fund jetës në qelinë e komisariatit Kavajë duke u vetëvarur me lidhësen e kapuçit të trikos që mbante veshur.
Nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë është bërë këqyrja e viktimës nga ku ka rezultuar se në trupin e të riut nuk janë konstatuar shenja dhune.
Por familjarët e të riut nuk e besojnë vetëvrasjen, duke thënë se “Ai u ngeli në dorë efektive të policisë”
Për ngjarjen në pranga u vunë Policët Bexhet Berberi dhe Rushit Kola dhe oficeri i rojës Petrit Brahimaj.
Ata dyshohen se kanë neglizhuar procedurat standarde duke mos i hequr bluzës që 31 vjeçari mbante veshur lidhësen me të cilën ai dyshohet se u vetëvar.
Në vijim tre efektivët do të dalin para gjykatës së Kavajës, dhe prokuroria mësohet se ka kërkuar mbajtjen në burg për vdekjen në qeli.
