Banorët e 6 fshatrave në Fier pa bukë, falimenton fabrika që u mblodhi grurin

Banorët e gjashtë fshatrave të Fierit kanë mbetur pa bukë pasi fabrika që mblidhte grurin ka falimentuar.

"7 kuintal miell, i thonë 600 bukë. Dolëm zero".

Ata shprehen se nuk kanë ku të ankohen dhe pse kanë dokumentet që vërtetojnë se i kanë dorëzuar fabrikës të gjithë sasinë e grurit që prodhojnë në tokat e tyre.

"Ku të ankohemi, nuk kemi ku të shkojmë. Çfarë të bëjmë, çfarë ti marrim, hekurat? I kam dokumentet, me firmën e asaj dhe timen."

Thonë se administratorja e fabrikës është larguar pa i vënë në dijeni dhe se kanë ende bukë për të marrë.

"Unë edhe 87 bukë kam, po të tjerët që kanë nga 2 vjet që kanë çuar atje. Kanë gjithë atë miell për të marrë, çfarë do të bëjnë? Privati kështu është, të lë në mes të rrugës."

Disa prej banorëve kanë zgjedhur tu drejtohen fabrikave të tjera në zonë dhe disa po e blejnë miellin vetë.

"E kam çuar në një furrë tjetër. Është humbje, sidomos ai që e ka çuar vetëm këtu, do ta blejnë bukën me lekë. Pse ta blejë bukën 130 lekë kur ka bukën e tij."

Sipas qytetarëve ky nuk është rasti i parë i falimentit, por situata ka rënduar buxhetin familjar pasi janë të detyruar ta blejnë bukën dy herë.