Brenda qelisë ku u vetëvar 31-vjeçari Meta, lidhësja e kapuçit në tokë si dëshmi, familjarët padi në gjykatë

Tre efektivët e policisë të arrestuar për shpërdorim detyre në lidhje më vdekjen e 31-vjeçarit në ambjetet e komisaritit të Kavajës do të dalin të shtunën para gjykatës për masën e sigurisë. Familjarët pretendojnë se i riu është dhunuar dhe po përgatisin padi për komisaritin e Kavajës. Ndërkohë Komiteti i Helsinkit publikoi një raport ku thuhej se ngjarja mund të parandalohej dhe se ndihma e dhënë për të arrestuarin pas konstatimit të vetëvarjes ka vonuar pasi roja nuk kishte çelësin e qelisë.

Kjo është dhoma e paraburgimit në komisariatin e Kavajës ku qëndronte 31-vjeçari, Ilvi Meta, para se të vetëvritej.

Ora News ka siguruar pamjet ku dallohet se brenda dhomës gjendet edhe një lidhëse e kapuçit, e cila dyshohet se është përdorur nga 31-vjeçari Meta për tu vetëflijuar.

Komiteti shqiptar i Helsinkit publikoi një raport në të cilin thuhet se ngjarja mund të parandalohej pasi në librin e dorëzimit të shërbimit, punonjësi përgjegjës ka identifikuar rrezikun për tentativë vetëvrajse të këtij shtetasi.

Konkretisht  përgjegjësi i turnit të dhomave të sigurisë në Komisariatin e Kavajës, Petrit Berhamaj para se të dorëzonte detyrën atë ditë ka lënë shënimin ku thuhej: “T’i kushtohet vëmendje e veçantë të arrestuarit Ilvi Meta, pasi ky i fundit mund të tentojë vetëvrasjen”. 

Megjithatë nga komisariati nuk është marrë asnjë masë, madje, për më tepër është vonuar edhe ndërhyrja që mund ti shpëtonte jetën të riut.

Komiteti i Helsinkit thekson se roja i mbikqyrjes së dhomave të sigurisë ishte personi që konstatoi se Ilvi Meta ishte varur, por nuk mundi të hynte pasi nuk kishte çelësin e qelisë.

Atë e mbante përgjegjësi i dhomave të sigurisë, i cili u njoftua menjëherë dhe mbas hapjes së derës u realizua shoqërimi i viktimës në spitalin më të afërt, ku dhe u konstatua vdekja.

Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka arrestuar 3 punojës të policisë të cilët dyshohen për shpërdorim detyre.

Bexhet Berberi dhe Rushit Kola, të dy inspektorë, si dhe Petrit Brahimaj, nënkomisar, pritet që të shtunën të dalin para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.

Nga ana tjetër familjarët e viktimës pretendojnë se ndaj 31-vjeçarit është ushtruar dhunë deri në momentin që ai ka humbur jetën.

Dyshimet lidhen me disa foto që familjarët i kanë bërë viktimës në morgun e spitalit të Durrësit, ku sipas tyre në disa pjesë të trupit duket se ka shenja dhunë.

Ata thonë se do ti drejtohen gjykatës me 2 padi civile dhe administrative për komisariatin e kavajës dhe punonjësit që ishin në turn.

Sipas burimeve në një hark kohor prej 8 vitësh i riu ishte arrestuar 18 herë.

Ilvi Meta ishte dënuar tri herë për vjedhje, në vitet 2010, 2011 dhe 2012.