Villarreal-in e tradhëton Rulli, Liverpool në finalen e madhe të Parisit (Video)
Finalja e nëntë, Liverpool interpreton 45 minuta perfekte në Villarreal ku nuk ra pre e presionit të vendasve që i shtangën me dy gola në pjesën e parë që mund të kishin rrëzuar edhe një elefant.
Gjithsesi, pas rikthimit në fushën e lojës, Luis Diaz i futur në lojë në vend të Jota-s, ktheu gjithçka në favor edhe pse ishte Fabinho ai që shënoi golin e parë, duke qetësuar Jurgen Klopp në stol.
Gol që e çtensionoi ndeshjen e anglezëve të cilët kishin edhe avantazhin e fitores në takimin e parë. Ndeshja më pas mori një drejtim të vetëm ku Liverpool shënoi edhe dy gola, një me kolumbianin Diaz por edhe me Mane, i cili mposhti Rullin në versionin më të keq të Neuer.
Ishte pikërisht portieri hero i Europa League që tradhëtoi Unai Emery dhe i dha fund rrugëtimit fantastik të Villarreal në Champions League ku “preu koka” të mëdha si Juventus apo Bayern Munchen. Në krahun tjetër, Liverpool pret me qetësi të mësojë emrin e kundërshtarit të finales së madhe të Parisit.
