Dramë për Kukësin, Partizani fiton në “finalen” e Europës
Partizani shikon Europën. Të kuqtë fitojnë ndeshjen më të rëndësishme të sezonit dhe e bëjnë me një provë force në Kukës ku skuadra e Longos duhet të bëjë paqe me momenitn negativ që po kalon, prej shtatë ndeshjesh pa fitore. Në arenën e inauguruar vetëm pak ditë më parë, fitorja nuk ka ardhur ende dhe në fund, tifozët mësynë sërish fushën, këtë herë në shenjë zemërimi për nokdaunin 2-1 në përballjen direkte me Partizanin.
Ndeshja nisi me ritëm të çmendur dhe ishte Stenio Junior që arriti të kalonte në avantazh skuadrën e Mehmetit edhe pse Kukësi kishte dhënë sinjale interesante. Dy shtylla për të kuqtë në pjesën e parë që shënuan edhe një gol tjetër po me brazilianin Junior, këtë herë i asistuar nga Skuka. 2-0 në një ndeshje shumë të luftuar por Kukësi me Milunovic që shtyu në rrjetë topin në këmbët e tij, rihapi takimin që me kalimin e minutave u bë edhe më i tensionuar.
Gresild Lika nga stoli dhe Maget në minutën e 90 ishin dy lojtarët e ndëshkuar nga arbitri. Me shumë vuajtje, Partizani arriti ta ruante avantazhin deri në frymën e fundit duke u larguar me shpejtësi nga fusha e lojës ku mësynë tifozët vendas, dukshëm të pakënaqur me ecurinë e skuadrës së Longos, tashmë tre poikë larg Partizanit që në praktikë janë 4.
Në bazë të rregullores për caktimin e vendeve në Europë, momentalisht Kukësi mbetet jashtë por edhe vendi i katërt mund të konsiderohet në rrezik tashmë që pas shpinës ka Vllazninë dhe Kastriotin.
