"Rikthimi!" Topalli bën paqe me Berishën, fotoja e përqafimit

Jozefina Topalli I është bashkuar demokratëve në Kuvendin që po mbahet në Pallatin e Kongreseve. Madje ka takuar dhe liderin historik të PD-së, Sali Berisha.
Në fjalën e mbajtur u duk pendesa që nuk mori pjesë në kuvendin e 11 dhjetorit 2021.
Jozefina Topalli: Kur dola nga shtëpia për një moment po mendoja sikur një kuvend tjetër më parë të kisha dalë e të kisha thënë atë që unë kam thënë gjatë këtyre viteve. Po ju sot më latë pa fjalë dhe jam shumë mirënjohëse.
Para Kuvendit Topalli u shpreh se jemi në një kohë që duhet të bëjmë beteja të vërteta. Topalli në fjalën e saj u shpreh se sot është dita për të bërë kthesën ndërsa shtoi se nuk ka dëm më të madh se sa të lësh vendin pa opozitë.
Foto: LSA

“Nuk është hera e parë që jemi gjendur në vështirësi. Në përgjithësi nuk jemi tërhequr. Jemi hedhur në besimet tona, është rasti për ta bërë. Ndoshta mund të them një gjë, që dhe pa qenë në krye të PD-së dhe pa qenë deputete, njeriu duhet të gjejë forcën për të thënë të vërtetën e tij. E vërteta është liria e individit. Jemi në një kohë që duhet të bëjmë beteja të vërteta. E rëndësishme që bashkimi të bëhet mbi vlera, te njerëzit e thjeshtë, tek ata që kërkojnë një opozitë reale. Ky është dëmi më i madh, nuk ka dëm më të madh për një vend se ta lësh pa opozitë, ose të kesh një opozitë farsë. Sot është dita për të bërë kthesën”, tha Topalli.






