‘Shtëpia e barit’ në Kashar, 6 të arrestuar, dy prej tyre punonjës të OSHEE-së. Sekuestrohen 253 bimë kanabis
Gjashtë persona kanë rënë në pranga, pas zbulimit të shtëpisë së barit që u zbulua ditën e sotme në Kashar.
Policia bën me dije se dy prej të arrestuarve ishin punonjës të OSHEE-së, ndërkohë që është proceduar penalisht edhe dhe kryeplaku i fshatit, për moskallëzim krimi.
Në kuadër të këtij operacioni policia zbuloi se në banesën e përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, janë gjetur dhe sekuestruar 253 bimë kanabis të kultivuara në vazo, ushqyes elektrikë, llamba elektrike, freskuese dhe 6 aparate celulare.
Në pranga kanë rënë:
- L. S., 44 vjeç, Y. S., 47 vjeç, Xh. S., 69 vjeçe, Sh. S., 38 vjeçe, të katërt banues në Tiranë, për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike" kryer në bashkëpunim;
- L. B., 45 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë faturist pranë OSHEE-së, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës";
- R. K., 28 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Gjithashtu, u procedua penalisht kryeplaku i fshatit, shtetasi Z. V., 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".
“Gjatë kontrollit të banesës së shtetases Xh. S., në katin e dytë dhe të tretë, shërbimet e Policisë evidentuan ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave. Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, është gjetur në banesë shtetasja Xh. S. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasit L. S., Y. S., dhe Sh. S, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përshtatur banesën e shtetases Xh. S., për të kultivuar bimë narkotike.”- njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
