Gafa e Radu, Handanovic nuk i hedh as shikimin, revoltohen tifozët

Samir Handanovic rezultoi vendimtar me mungesën e tij, në kuptimin më negativ të kësaj fjale. Portieri slloven që nuk zbriti në fushë për ndeshjen Bologna-Inter pasi pak orë përapara ndjeu një dhimbje, ia la vendin numrit 2, Radu i cili bëri ndoshta gafën që do t’i kushtojë Interit sezonin.

Gjatë orëve të fundit, mediat italiane kanë publikuar një moment shumë interesant ku në fund të ndeshjes edhe pse Radu kishte shpërthyer në lot për shkak të gafës së golit të dytë, numri 1  del nga fusha pa i hedhur madje as shikimin zëvendësit të tij. Një gjest që ka ngjallur reagimin e ashpër të tifozëve.

Nëse Correa, Cordaz e Dumfries nxituan të ngushëllonin shokun e skuadrës madje mbuluan edhe kamerat për të mos e filmuar momentin e tij të vështirë, Handa që është njëkohësisht kapiten i skuadrës, nuk e mendoi me vend t’i qëndronte pranë shokut të skuadrës në një moment shokues.