Conte te PSG kërkon të kontrollojë rrjetet sociale të lojtarëve
Antonio Conte përgatit largimin nga Tottenham, pavarësisht pagës së majme prej 15 milionë eurosh dhe kontratës 4-vjeçare me “gjelat”. Raportimet nga Franca flasin për lamtumirën e mundshme të Pocchettinos nga PSG me pasardhës italianin Conte që gjithashtu po mendon të mbyllë bashkëpunimin me londinezët.
Ish-trajneri i Interit u emërua në stolin e Tottenham në muajin nëntor, ndërsa Al Khelaifi i ka premtuar një pagë pothuajse sa dyfishi i asaj që arkëton në Londër. Mediat franceze raportojnë për një kërkesë të veçantë të Contes në bisedimet me PSG. Ai kërkon që në Paris të marrë me vete edhe një emër ende sekret për ta emëruar drejtor të rrjeteve sociale në mënyrë që të kontrollojë aktivitetet virtuale të VIP-ave të skuadrës Neymar, Mbappe apo Messi.
Në këtë mënyrë ai synon të ketë nën kontroll të gjitha zhvillimet si brenda ashtu edhe jashtë dhomave të zhveshjes në Paris ku gjatë muajve të fundit është përfolur për krisje dhe tensione të shpeshta, çka u bë shkak edhe për dështimin e skuadrës në UEFA Champions League.
