Vrioni lider në Tirol, sulmuesi shqiptar mban në jetë skuadrën e tij me tre gola vendimtarë (Video)

Edoardo Reja ka një emër më shumë që duhet ta marrë në konsideratë për ndeshjet e Ligës së Konferencës. Giacomo Vrioni po kalon një moment të artë në Austri me skuadrën e Tirolit ku ka gjetur tre gola për herë të parë në një ndeshje.

Në përballjen mes skuadrës së tij dhe LASK Linz, sulmuesi kuqezi rralizoi dy gola të shpejtë që në pjesën e parë dhe më pas 10 minuta nga fundi edhe të tretin personal duke i dhënë një dorë të madhe Tirolit në misionin e mbijetesës në kampionatin elitar të Austrisë.

Vrioni i huazuar nga Juventusi te skuadra Austriake është në kuotën e 15 golave sezonalë, vetëm 2 më pak se kryesuesi i listës së golashënuesve ndërsa në muajin qershor ai do të jetë një alternativë e rëndësishme për sulmin e Kombëtares ku Broja po kalon një moment jo shumë pozitiv në Angli ndërsa Cikalleshi konsiderohet titullar nga trajneri Reja.