Arma e Putinit, gazi rus

Presidenti Zelensky e konsideron një armë të Rusisë kërcënimin që u bën vendeve të Bashkimit Evropian për ta paguar gazin rus në monedhën e Rublas. Sipas liderit ukrainas sa më shpejt që vendet anëtare të bllokut të çlirohen nga varësia e Moskës aq më shpejt do t’i kthehet stabiliteti Evropës.

Presidenti Zelensky ka përshëndetur një marrëveshje mes vendeve të Bashkimit Evropian për të krijuar pavarësi  nga energjia ruse.

Pas ndalimit të furnizimit me gaz rus ndaj Bullgarisë dhe Polonisë për shkak se dy vendet refuzuan të paguajnë për karburantin në rubla, Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes thotë se Putin i konsideron të gjitha importet në BE si një armë.

Zelensky: Rusia nuk e konsideron vetëm gazin, por çdo tregti që bën me Bashkim Evropian si një armë. Ajo është vetëm duke pritur momentin kur mund të përdoret një zonë tjetër tregtare.

Sipas kreut të shtetit ukrainas, sa më shpejt që vendet anëtare të bllokut evropian të zgjedhin që të mos varen nga Moska për tregti, aq më shpejt do t’i kthehet stabiliteti vendit.

Të mërkurën pati aludime se Austria kishte rënë dakord që të paguante gazin rus në monedhën e rublas, të cilat u hodhën poshtë nga zyra e kancelarit Karl Nehammer.

Po ashtu disa medie kanë raportuar se edhe kompania shtetërore italiane ishte dakord që të paguante gazin rus në rubla edhe pse më herët qeveria e Mario Draghit kishte thënë se do të merrte gaz nga Algjeria për të zëvendësuar importet ruse.