Sekuestrohen 48.5 kg drogë çokollatë dhe heroinë në Tiranë, babë e bir mes tre të arrestuarve
Policia e Tiranës në bashkëpunim dhe me prokurorinë e kryeqytetit kanë finalizuar dy operacione antidrogë të koduar "Çokollata" dhe "Tujani".
Drejtori i Tiranës, Lorenc Paganika, teksa dha detajet nga dy operacionet tha se janë sekuestruar 48.5 kg drogë çokollatë dhe 312 gramë heroinë.
Në pranga kanë rënë babë e bir Sami dhe Kevin Qordja dhe Ramazan Qordja.
Operacioni i koduar "Çokollata"- Në rrugën “Rexhep Tarja”, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën në pronësi të shtetasit Sami Qordja. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 160 paketime me lëndë të dyshuar narkotike, të përpunuar në formën e çokollatës, me peshë totale 48.5 kilogramë.
Në vijim të kontrollit është gjetur dhe një armë gjahu pa leje, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet në përdorim të këtij shtetasi dhe dy aparate celulare. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sami Qordja, 43 vjeç dhe i djalit të tij Kevin Qordja, 19 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe "Trafikimi i narkotikëve" kryer në bashkëpunim.
Operacioni i koduar "Tujani"- Menjëherë pas operacionit të koduar “Çokollata”, bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi disaditor, është organizuar dhe finalizuar operacioni i dytë antidrogë, i koduar “Tujani”.
Në kuadër të këtij operacioni, në zonën e Tujanit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Ramazan Qordja, 31 vjeç, ku gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 312 gramë lëndë të dyshuar narkotike të dyshuar heroinë, një armë gjahu, peshore elektronike dhe një aparat celular.
Hetimet
Nga hetimet e kryera nga policia dhe prokuroria ka rezultuar se babë e bir, Sami dhe Kevin Qordja, ushtronin veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të narkotikëve, duke e përpunuar lëndën narkotike kanabis në formë çokollate, të cilën më pas e shisnin në zona të ndryshme të Tiranës.
Po nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Ramazan Qordja merrej me shitjen e lëndës narkotike heroinë, në doza, të cilat i shiste në zonën e Tufinës, në Babrru dhe në rrugën “Myslym Keta”. Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, pasi siguronte lëndë narkotike heroinë, në sasi 1-2 kg, e ndante në doza dhe më pas e shiste.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.