Demalia: Shqipëria sheh nga vlerat e demokracisë së SHBA-ve, peticioni kundër Yuri Kim qesharak
Në një intervistë për Ora News, analisti Ilir Demalia u shpreh se Shqipëria është lidhur organikisht me perëndimin dhe SHBA-në, pasi ekziston një tërheqje natyrore.
Sipas tij, nisma për largimin e ambasadores Yuri Kim është diçka qesharake që i kujton ato njerëzit që vinte Partia e Punës para ambasadës së Kubës në Tiranë dikur.
Demalia: Shqipëria është lidhur organikisht me perëndimin dhe SHBA-në, ku është një tërheqje natyrore, për shkak të vlerave të demokracisë dhe lirisë që ka perëndimi. Lidhja me vendet e lindjes ka qenë gjithmonë një katastrofë për vendin tonë që ka përfunduar në jetë njerëzore dhe persekutime. Është e tepërt që të vihet të pikëpyetje kjo gjë. SHBA-të, kanë qenë fatmirësisht në anën e interesit të Shqipërisë. Në politikë nuk ka dashuri, sepse nuk jemi një gjë organike e SHBA-ve, por ka interesa dhe këto të fundit kanë përkuar me ne.
Ne gjatë gjithë këtyre 30 viteve kemi një politikë të korruptuar dhe pa pranim të demokracisë dhe sa herë i shkelen interesat klanit politik ne fajësojmë SHBA-të. Edhe kur gjoja janë opozitë dhe pozitë i shërbejnë një klani dhe presin që të grabisin në pushtet. Prandaj kemi arritur në këtë gjendje në kuvend si përfaqësi. Nisma për largimin e ambasadore Yuri Kim është diçka qesharake që më kujton ato njerëzit që vinte Partia e Punës para ambasadës së Kubës në Tiranë. Problemi i politikës shqiptare është një mjerim i madh dhe një peticion i tillë me aq firma është i papërfillshëm.
Demalia shtoi se nëse Shqipëria nuk do të ishte anëtare të NATO-s, se nuk kemi asnjë fuqi ushtarake, na kishte marrë Serbi dhe kishte dalë në Sarandë.
Demalia: A e kuptojnë shqiptarët se me këto që po ndodhin, nëse nuk do të ishim anëtarë të NATO-s, se nuk kemi asnjë fuqi ushtarake, na kishte marrë Serbi dhe kishte dalë në Sarandë. Interesat e klaneve kriminale politike krijojnë këto situata për të dalë nga zullumi i tyre. Nuk mund të ecë më kjo gjë. Shumë na kanë duruar Evropa dhe SHBA-të. Nuk ka mundësi që të vuajë kaq shumë dhe të ketë një të keqe kaq të madhe në drejtim një vend kaq i vogël.

