Tensionohet “Rithemelimi” në Bulqizë, zgjedhjet në degën e PD-së mes dyshimeve e debateve mes rivalëve
Komisioni i Rithemelimit vijon organizimin e Partisë Demokratike në bazë në prag të Kuvendit të 30 Prillit. I tensionuar dhe në klimë mosbesimi ky proces u zhvillua në degën e selisë blu në Bulqizë.
Zgjedhjet për kryetarin e degës së Partisë Demokratike në Bulqizë, organizuar nga Komisioni i Rithemelimit, u shoqëruan me probleme për të dytën herë.
Te dielën procesi u anulua për shkak të dyshimeve për regjistrime fiktive në listën e anëtarësisë, ndërsa këtë të hënë pati tensione mes mbështetëve të dy kandidatëve.
Këto pamje tregojnë momente nga përplasja që kulmoi me heqjen e derës së sallës ku zhvillohej votimi.
"Ka një pjesëmarrje masiove të votuesve të anëtarësisë të PD-së në Bulqizë dhe radhët e mëdha shkaktojnë tension. Ka vetëm një Komision Votimi dhe si i tillë e ka të vështirë të përballojë numrin e votuesve".
Për të zbutur gjakrat mes palëve u angazhuan figura të Komisionit të Rithemelimit.
Të hënën, procesi zgjedhor u anulua në Malësi të Madhe për shkak se u thye kutia e votimit.
Partia Demokratike e drejtuar deri më tani nga Komisioni i Rithemelimit ka mbajtur procesin zgjedhor në 67 nga 71 degë që ka në të gjithë vendin.
Paralelisht me zgjedhjen e drejtuesve të degëve, po zgjidhen edhe delegatët për Kuvendin e 30 Prillit thirrur nga Komisioni i Rithemelimit.
Aty është paralajmëruar se do të zgjidhet Këshilli i ri Kombëtar dhe do të çelet gara për kryetarin e ri të Partisë Demokratike.



