Qeveria i jep për 10 vite Butrintin një fondacioni, Ministria e Kulturës mban sekret kontratën e menaxhimit
Qeveria ka vendosur që t’i japë Butrintit për manaxhim një fondacioni të huaj, i cili do ta mbajë për një periudhë 10-vjeçare.
Kështu, fondacioni ka të drejtën për menaxhimin e Butrintit, për të përcaktuar çmimin e biletave dhe dhënien në përdorim të të gjitha formave të trashëgimisë dhe pasurisë kulturore.
Ndërkohë, në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ditën e sotme, ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se modeli financiar parashikon kryerjen e investimeve kryesore që do të financohen nga partneri strategjik përmes një granti në vlerën rreth 5 mln dollarë.
Ministrja theksoi se çdo e ardhur që del nga Butrinti, ngel në Butrint dhe se nuk do të ketë asnjë fond shtesë nga buxheti i shtetit.
Ndërkohë, deputeti dhe kryetari i komisionit Petro Koçi u shpreh në këtë komision se marrëveshja me fondacionin është konfidenciale, duke pyetur pse po ndodh diçka e tillë kur bëhet fjalë për një fondacion.
Margariti u përgjigj se konfidencialiteti qëndron vetëm për të gjitha aspektet ekonomike që janë qartësuar në detaje në planin e biznesit.
Ajo shtoi se plani i biznesit është element kyç që ka mundësinë e konfidencialitetit përsa kohë kemi marrëveshje në formën e grantit dhe operacionalitetin e tij në territor.
Deputetët në komision denoncuan procesin si jotransparent, ndërsa Margariti tha se marrëveshja ishte klasifikuar sekret që të mos keqinterpretohej.
Debati në komision:
Margariti: Modeli financiar parashikon kryerjen e investimeve kryesore kapitale që do të financohen nga partneri strategjik përmes një granti në vlerën rreth 5 mln dollarë dhe nga fondet e papërdorura dhe të mbartura ndër vite nga vetë zona e administrimit të parkut kombëtar të Butrinit. Investimet kryesore do të shtrihen në 5 vitet e para të operimit. Me ndërtimin e qendrës së vizitorëve, me punimet e konservimit, hyrjen e re në sit dhe me by pass që duam të krijojmë për të gjithë aksesimin e komunitetit. Shtigjet e reja dhe shërbimet e reja muzeale në kalanë Veneciane sot aset i fjetur. Interpretim i ri dhe bashkëkohor digjital. Bar kafe e autobusë ekologjikë për vizitorët.
Modeli financiar parashikon që fondet e siguruara nga grantet të mbulojnë nevojat financiare për realizimin e investimeve kapitale dhe operimin e sitit sipas modelit të ri të menaxhimit. Çdo e ardhur që ngel nga Butrinti ngel në Butrint. Asnjë fond shtesë nga buxheti i shtetit, përkundrazi, por modeli që po kalojmë duke filluar nga viti i katërt do të përdoren tërësisht fondet e krijuara nga Parku Kombëtar i Butrintit në Parkun Kombëtar të Trashëgimisë.
Përqindjet e donacioneve 0.5%, 1% dhe 1.5% në tre vitet e para të ardhurave vjetore të fondacionit të derdhen në kasën e madhe të kulturës. Jo vetëm do mbajë vet. Në planin e biznesit është parashikuar dhe kontributi që duhet. Duam të kemi të parin si karbon free në Ballkan Qendra e vizitorëve do të konceptohet përmes një konkursi arkitekturor ndërkombëtar. Kostot për konkursin e qendrës vizitorëve që shkojnë në rreth 100 mijë dollarë do të financohen në formë granti nga partneri strategjik. Të gjitha ndërtimet dhe operacionet e PARK do të plotësojnë kushtet e eko-turizmit. Do të punësohen 104 punonjës lokalë.
Petro Koçi: Marrëveshja është konfidenciale. Përderisa menaxhimin do ta bëjë një fondacion që nuk ka qëllim fitimi pse marrëveshja është konfidenciale.
Elva Margariti: Garancitë janë modelet. Fondacioni menaxhon asetin, por nuk e ka në pronësi. Dalim jashtë të gjithë skemave të koncesioneve apo privatizimit. Marrëveshja krijon mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm të sitit. Fondacioni ka shtetin në krye të këtij menaxhimi. Vetë ministria e kulturës është anëtare e këtij fondacioni. Është një instrument për të thjeshtuar zhvillimin ekonomik dhe thithjen e të ardhurave. I gjithë aseti i ngel shtetit. Nuk i kalohet asnjë fondacioni.
Konfidencialiteti qëndron vetëm për të gjitha aspektet ekonomike që janë qartësuar në detaje në planin e biznesit. Plani i biznesit patjetër që ka kaluar një sërë rishikimesh e vendimmarrjesh. Plani i biznesit është element kyç që ka mundësinë e konfidencialitetit përsa kohë kemi marrëveshje në formën e grantit dhe operacionalitetin e tij në territor. Nuk do të doja të keqinterptoheshin të gjithë elementët e parashikuar në planin e biznesit në këto komisione përsa kohë që ministria ka të drejtën, tagrin dhe detyrimin të shohë ecurinë e planit të biznesit. Të marrë masa. Ministria është pjesë e bordit dhe pjesë e një sistemi më të gjerë auditi të mirëmenaxhimit të këtij siti. Qasja jonë është që brenda dy viteve të para të mund të kemi të tjerë donatorë e anëtarë në bord me fuqi të plotë për shtimin e granteve në donacion.

