Nuk ka gola dhe as lojë të bukur në Shkodër, Vllaznia-Partizani sërish barazim
Vllaznia dhe Partizani tremben nga fitorja dhe ndalen në një barazim pa gola e për më tepër të mërzitshëm. Kur pritej që në Shkodër të ndaheshin shumë gjëra, ndodhi pikërisht e kundërta, kuqeblutë dhe skuadra e Dritan Mehmetit mbeten të ndarë nga 1 pikë me kryeqytetasit për momentin në vendin e katërt dhe veriorët në të pestin e jashtë zonës Europiane.
Pas 10 ditësh nga sfida e zjarrtë e Kupës ku Vllaznia u kualifikua vetëm falë 11-metërshave, këtë herë historia nuk ndryshoi shumë në “Loro Boriçi” ku skuadrat preferuan të mos rrezikonin duke u mbyllur kryesisht në mbrojtje. Për t’u shënuar është një gol i anuluar nga sistemi VAR në dëm të Partizanit që në minutat e para ndërsa pjesa tjetër e sfidës nuk dhuroi emocione të veçanta.
Kur mbeten edhe gjashtë javë nga fundi i sezonit, Vllaznia dhe Partizani nuk e kanë ndarë ende çështjen e vendit të katërt por njëkohësisht duhet të ruajnë edhe krahët pasi Kastrioti po rritet me ritme të frikshme dhe gjatë ndalesave të ardhshme mund të bëhet kërcënim për të dyja skuadrat.
