Krimet zgjedhore, Shella: Nuk do habitesha nëse përdorimi i patronazhistëve do legalizohej si hashashi
Organet e drejtësisë kanë lënë në hije krimet zgjedhore të 25 prillit. INFOÇIP në raportin e referuar sot foli vetëm për dy raste të gjykuara në gjykatë ku autorët janë vënë para përgjegjësisë.
Drejtuesi i INFOÇIP, Gerti Shella, i ftuar në Rtv Ora u ndal tek çështja e shumëdebatuar e patronazhistëve duke mos përjashtuar përdorimin e tyre edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Shella: Gjithçka që nuk është e ndaluar apo e ndëshkuar është e lejuar me rregull të treshit. Për fatin e keq në kodin penal me patjetër duhet të shtohet një nen. Ne në fakt kemi një nen që është "përdorimi i burimeve shtetërore për përfitim elektoral", të shtohet dhe një presje më shumë "si dhe përdorimi i të dhënave personale për përfitime elektorale". SPAK-ut kur ju dërgua kjo çështje me të drejtë ndoshta ata gjykuan formalisht se sa kohë nuk ka shit-blerje të votës por vetëm përdorim të të dhënave personale kjo çështje nuk qëndron brenda kompetencës lëndore të SPAK që mori me ndryshimet e kodit të procedurës por i kalon prokurorisë së zakonshme dhe ashtu ndodhi. Por ende nuk kemi një konkluzion. Pritshmëritë duhet ti kemi të ulëta. Në Shqipëri, në pamundësi që drejtësia ti vendosë siglën e vet një çështjeje me sensibilitet të lartë sikurse janë drogat e lehta dhe të forta. Dhe për patronazhistët, në vend që të rritet doza e ndëshkimit rritet lehtësia e legalizimit. Nuk do të habitesha të kishim një legalizim të përdorimit të patronazhistëve njësoj si hashashi.
Edhe pse u duk se Elbasani mbante peshën kryesore të krimeve zgjedhore, shifrat tregojnë tjetër realitet.
Shella: Qarku zgjedhor Fier është qarku që ka mbledhur më shumë kallëzime në dy prokurori që ka, e Fierit dhe Lushnjes. Janë 72 kallëzime. Shpjegimin mund ta gjejmë se ndoshta te fakti se drejtues politik i PD në këtë qark ka qenë Enkelejd Alibeaj dhe për vetë profilin juridik që mbart ka dashur të hedhë një bast të avancuar mbi përdorimin e instrumentit penal. Janë gati gjysma e kallëzimeve penale. Edhe pse mendohej se Elbasani ishte qarku me ngarkesën më të madhe penale në fakt ka qenë Tirana dhe Fieri.
Sipas tij, përpjekja serioze për të adresuar çështjen e krimeve zgjedhore dobësohet deri në referimin e shifrave në njoftime zyrtare dhe mandej në pasqyrimin e raporteve zyrtare.
Shella: Prokuroria e Përgjithshme në raportin e saj në Kuvend në 2021 kishte 47 procedime penale të hapura ndërkohë që në njoftimin e saj në 2 nëntor 2021 fliste për 84 procedime. Ka një diferencë shumë të madhe mes asaj që referohet në nëntor dhe asaj që i jepet Kuvendit në mars të këtij viti. Nga ana tjetër kishte pohime që për X nen pati dy çështje penale me 6 të pandehur me 19 të dënuar. Sesi mund të gjenden nga 6 të pandehur 19 fajtorë? Duket se ne do të duhet të jetojmë me këtë mungesë serioziteti për një kohë të gjatë.

Gerti Shella deklaroi se janë gjithsej 291 kallëzime për krime zgjedhore, por rreth gjysma e tyre u regjistruan nga prokuroritë dhe SPAK-ut.
Sipas tij është e paqartë arsyeja e fshirjes së këtyre kallëzimeve të bëra kryesisht nga PD-, LSI, Presidenti dhe KQZ
I pyetur nëse e ka njohur PD dhe Qeverinë me këtë raport, Shella dha këtë përgjigje:
Shella: Do të më pëlqente që zoti Alibeaj përpara se të depozitonte një ankim për një çështje ku nuk është palë të depozitonte ankim për kallëzimet që ka depozituar vetë.

