Laura Xhaxhiu: Ja si më transfomoi botoksi, vendosa të mos bëj më
E ftuar në emisionin “Jeto me Orën”, në RTV Ora, trajnuesja e “Face yoga”, Laura Xhaxhiu foli për këtë metodë trajtimi si një mënyrë jetese që ajo ka zgjedhur për veten e saj. Kjo metodë përfshin masazhin dhe ushtrimet që stimulojnë muskujt, lëkurën dhe sistemin limfatik. Ajo është krijuar për të zbutur dhe relaksuar muskujt e fytyrës.
“Face yoga” është shumë e njohur në Lindjen e Largët, në kulturën japoneze dhe kineze. Në dekadën e fundit , kjo metodë është përhapur me shpejtësi në të gjithë botën dhe vitet e fundit Laura po e ushtron në Shqipëri. Ajo rrëfeu përvojën e saj me botoksin dhe fillerat, teksa tha se për pak kohë ato u bënë dy praktika të cilat nuk do të mund t’i bëjë kurrë më.
“Në të dyzetat e mia fillova të shoh rrudhat në fytyrë dhe në një farë mënyre mos ta pranoja plakjen. Këshilla e vetme që më erdhi, ashtu si shumë të tjerëve normale, ishte botoksi dhe fillersat. Zgjidhja e parë ishte kjo sepse ne jemi të bombarduar me këtë lloj retorike. Kudo, revistat, instagrami, flasin për injeksionet, për “baby botox”.
Në atë kohë në fillim kam bërë sytë dhe rrudhat e ballit. Asokohe kam dhënë një intervistë për një revistë dhe se kam publikuar kurrë atë foto të revistës në asnjë rrjet social sepse nuk isha unë, mollëzat i kisha më të fryra, syri kishte ndërruar formën, vetullat gjithashtu, e shikoja dhe thosha që nuk jam unë, nuk isha mësuar me imazhin tim të ri. Pas katër muajsh erdha dhe njëherë aty ku isha, domethënë u bëra “Hirushja”.
E provova për herë të dytë dhe estetistja po më thoshte që unë jam shumë ekspresive ndaj botoksi nuk më mban te sytë. Unë paguaja gjithë kohën ndërkohë edhe pse botoksi nuk mbante.
E treta ishte pak fillers te buzët, ajo i vuri kapakun dhe unë mora vendimin që unë nuk do të bëja kurrë më fillersa dhe botoks sepse nuk isha në rregull me veten, nuk isha më unë”, tha ajo.

