Ndërtimet e reja, zhurmë dhe kaos/Në Kinostudio banorët ankohen për ndotjen akustike, por asnjë reagim

Sheshet e reja të ndërtimeve pranë zonave të banuara shkaktojnë zhurma që duket se nuk përfundojnë në asnjë moment. Banorët e zonës së Kinostudios hasen me ndotjet të lartë akustike, por pavarësisht ankesave drejtuar institucioneve, askush nuk reagon, duke i çuar ata nga policia te Bashkia e Tiranës dhe Ministra e Mjedisit.

Këto janë zhurmat nga ndërtimi i një tjetër pallati në Tiranë. Në zonën e Konostudios pak kush ka mundësi të qëndrojë në qetësi apo të shpresojë që fëmijët dhe të moshuarit do të arrijnë të flenë.

Banorët e konsiderojnë shqetësim dhe kërkojnë marrjen e masave për të mos lejuar abuzimin dhe ndotjen akustike.

"Shqetësim është zhurma, veçanërisht për banorët e zonës këtu. Vazhdon deri në orët e vona të natës."

"Të jetë e kufizuar se ka njerëz që janë me probleme dhe sëmundje."

"E dëgjoj këtë zhurmën tërë ditën."

Ankesat drejt institucioneve për ta detyruar kompaninë që të marrë masa për të ulur nivelin e zhurmës bie në vesh të shurdhët.

Bashkia e Tiranës që ka detyrimin të monitorojë hesht përballë lejes së dhënë, ndërsa Ministria e Mjedisit duket se angazhohet vetëm për raporte të monitorimit të zhurmave.

Nga ana tjetër dhe kur i drejtohesh komisariatit numër katër në Tiranë të drejtojnë te Bashkia dhe Ministria duke lënë gjithçka nën pushtetin e gropave të hapura me zhurmë.