Anulimi i vendimit në arbitrazh, qeveria shqiptare i paguan 65 milionë lekë të vjetra studios ligjore
Duket se qeveria shqiptare do të paguajë miliona euro të tjera në arbitrazh ndërkombëtar për kontrata të anuluara.
Ky është rasti edhe shpërblimi e studios “Gowling” WLG për procesin e anulimit të vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar, datë 20.3.2020, ICSID Case no.ARB/14/26.
Ky arbitrazh i anuluar ishte ndërmjet shoqërisë “Albaniabeg Ambient”, sh.p.k., dhe të tjerë (“M.Angelo Novelli” dhe “Costruzioni S.R.L.” “IÇ kundër Hydro S.R.L.””,), kundër Republikës së Shqipërisë.
Kështu qeveria shqiptare i ka kaluar ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit plot 65 000 000 lekë që do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.
Vendimi:
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR MINISTRINË E TURIZMIT DHE MJEDISIT NGA FONDI REZERVË I BUXHETIT TË SHTETIT PËR VITIN 2022, PËR PAGESËN E STUDIOS PËR ÇËSHTJEN E ANULIMIT TË VENDIMIT TË ARBITRAZHIT ICSID CASE NO. ARB/14/26
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në zërin “Shpenzime korente”, të programit buxhetor 01110 “Planifikim, menaxhim, administrim”, i shtohet fondi prej 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh, për kryerjen e pagesës për detyrimet që rrjedhin ndaj studios “Gowling” WLG për procesin e anulimit të vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar, datë 20.3.2020, ICSID Case no.ARB/14/26, ndërmjet shoqërisë “Albaniabeg Ambient”, sh.p.k., dhe të tjerë, kundër Republikës së Shqipërisë.
2. Efekti financiar prej 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.
3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA

