“Non grata” edhe romë e egjiptianë, të paragjykuar dhe të lënë pas dore

Përfaqësues të komunitetit rom dhe atij egjiptian, i kërkojnë qeverisë të përmbushë detyrimin për strehimin, arsimimin dhe kujdesin shëndetësor ndaj këtyre qytetarëve.  Ata renditën një serë faktesh pëer diskriminimin që i behet që nga zyrat e shtetit .

Përditshmëria e komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri kalon përmes sfidave dhe vështirësive të shumta.
Kanë probleme me strehimin, qasjen në arsim dhe shëndetësi.

Gentjan Sejrani, nga organizata “Drejtësi Sociale” thotë se politika nuk ka bërë mjaftueshëm për të përmirësuar jetesën e anëtarëve të këtij komuniteti.

"Problematikën e mungesës së energjisë elektrike e kemi konstante. Problemi në lidhje me regjistrimin civil, kemi akoma njerëz të komunitetit rom të cilët nuk janë të regjistruar në gjendjen civile. Kemi gjithashtu probleme në lidhje me shëndetësinë", tha Sejrani.

Punësimi mbetet një tjetër sfidë. Ervis Çota drejtues i lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome, thotë se të rinjtë ndihen të diskriminuar, fenomen ky që nis që në zyrat e punës.

"Diskriminimi ndodh në dy momente, dhe nga disa prej punonjësve të zyrave të cilët nuk i trajtojnë dhe nuk i ofrojnë shërbimin me korrektësi dhe profesionalizëm sikurse ja ofrojnë një qytetari tjetër dhe diskriminimi që ndodh nga ana e punëdhënësit. Situata është shumë e vështirë pasi  që numri i të papunëve në radhët e këtyre komuniteteve është shumë i lartë dhe kjo vjen si pasojë e mungesës së programeve efektive për të lehtësuar përshtatjen dhe integrimin e tyre në tregun e punës", tha Çota.

Përkundër problematikave të shumta të adresuara nga përfaqësuesit e këtij komuniteti, për qeverinë situata ka ndryshuar. 

"Mbështetja e grupeve më në nevojë, përfshirë këtu edhe minoritetin rom dhe egjiptian ka qenë e përhershme", ka deklaruar Manastirliu.

Deklaratat u bënë gjatë seminarit të pestë të dialogut politik për përfshirjen e komuniteteve rome dhe egjiptiane.

Sipas censusit të vitit 2011 në Shqipëri ky komunitet përbëhet nga afro 12 mijë persona.

“Non grata” edhe romë e egjiptianë, të paragjykuar