"Nuk është moti e lufta shkak i krizës energjitike", Berisha: U zbrazën digat në kundërshtim me ligjin
As bordet e monitorimit të karburanteve dhe ushqimeve dhe as sqarimet e qeverisë për reagimin e bursave mbi energjinë nuk ndikuan në uljen e çmimeve në Shqipëri. Partia Demokratike në një tryezë me ekspertë të energjisë, akuzon qeverinë për keqmenaxhimin e krizës. Sali Berisha akuzoi Ramën se e ka shitur energjinë me çmim shumë të ulët krahasuar me çmimin e bursës.
Berisha: Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që ka tre-katër fishuar çmimin e energjisë për bizneset dhe premton të rrisë në mënyrë absurde çmimin e energjisë dhe për konsumatorët. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që takson naftën mbi 1 euro, që prodhon 1 mln ton dhe që ka njërin prej çmimeve më të larta në Evropë. Prodhimi i energjisë në Shqipëri gjatë vitit 2021 është më i larti në rekord historik, është rreth 9 miliard KW.
Nëse analizojmë qëndrimin në menaxhimin e rezervës ujore të kaskadës, konstaton lehtësisht se shkaku themelor i krizës energjitike në Shqipëri nuk është moti, lufta, pro është plaçkitja, vjedhja, grabitja në këto sipërmarrje. Shqipëria, nuk besoj të ketë vend tjetër që zbraz digat në kundërshtim me ligjet e saj dhe shet energji në emër të liberalizimit të treguar me 42 euro në të njëjtën ditë kur në bursë ajo është 130 euro. Kemi një rritje çmimesh të diktuara nga keqmenaxhimi dhe vjedhja. Ai që shiti energji me 42 euro, ndau para me blerësin.
Por çfarë qëndron tjetër në themel të kësaj krize? Në themel të saj qëndron qëndrimi i papërgjegjshëm i kësaj qeverie, e cila në 9 vite, nuk ka siguruar një burim të vetëm energjie, përveç burimeve ujore të kontraktuara më parë. Në një kohë kur potencialet ishin të jashtëzakonshme. Në një kohë kur kjo qeveri trashëgoi kontrata për ndërtimin e 432 hidrocentraleve në mbarë vendin. Përparësia e saj absolute duhej të ishte diversifikimi i burimeve të energjisë elektrike. Rrallë të ketë një vend me potencial të tillë për diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike.
