Freedom House: Në Shqipëri 8 persona kontrollojnë tregun mediatik

Organizata ‘Freedom House’ në raportin për Shqipërinë sa i përket medieve ka konstatuar se vetëm 8 persona kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut mediatik në vend.

Mediat sipas raportit përdoren nga këta persona për të lobuar për interesat e tyre dhe për të mbajtur lidhje të ngushta me partitë politike.

Viti 2021 sipas ‘Freedom House’ ishte sfidues për gazetarët për shkak të kërcënimeve, ngacmimeve dhe kushteve të tmerrshme të punës.

Përmbajtja e shtypit shqiptar vijoi të përkeqësohej në 2021, me një rritje të numrit të emisioneve televizive, që kryesisht ndajnë opinione të pabazuar në prova, ose fakte të verifikueshme.

Në raportin për Shqipërinë përmendet edhe rrjedhja e të dhënave personale të publikuara nga Lapsi.al ose i ashtuquajturi ‘Sistemi i patronazhistëve’, në të cilin figuronin të dhënat e 910 000 qytetarëve.

Këto të dhëna sipas organizatës rrodhën nga E-Albania për llogari të Partisë Socialiste.

‘Freedom House’ thotë se mbi këtë çështje nuk u nis asnjë hetim, ose mbi mënyrën se si partitë politike i sigurojnë të dhënat personale të qytetarëve.

Në raport thuhet se shkeljet në këtë drejtim dhe pasojat tregojnë se Shqipëria nuk i ka marrë ende seriozisht ligjet e saj për mbrojtjen e të dhënave personale.