Reforma zgjedhore, Celibashi për RTV Ora: Partitë politike të ulen sa më parë në tryezë, jo vendime të minutës së fundit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi në një konferencë për mediet ju përgjigj pyetjes së gazetares së RTV Ora, Fjorela Beleshi lidhur me reformën zgjedhore. Celibashi i bëri  thirrje partive politike që të ulen në tryezë sa më parë sepse vonesat dhe vendimet e minutës së fundit mund të përbëjnë objekt për konflikt politik.

RTV Ora: Pak ditë më parë i keni bërë thirrje partive politike për reformën zgjedhore që nëse duan të ulen në tryezë duhet ta bëjnë sa më shpejt? A keni marrë një përgjigje nga ata?

Celibashi: Jo vetëm si zyrtarë që kemi përgjegjësinë në raport me procesin zgjedhor, por qoftë edhe si qytetarë dhe votues e kemi adresuar atë thirrje kundrejt partive politike për të nxitur ato që të fillojnë procesin e të ashtuquajturës reformë zgjedhore. Nuk kemi ndonjë përgjigje, por ajo që është e rëndësishme të evidentojmë është fakti që nuk duket që ka një reflektim dhe nuk po themi pse nuk reflektojnë ndaj thirrjeve tona. Por nuk ka një reflektim nga ana e partive politike, veçanërisht atyre parlamentare në lidhje me angazhimin që ato vetë kanë marrë për të reformuar ligjin zgjedhor.

Sa më shumë ditë kalojnë aq më problematik do të bëhet situata dhe nga pikëpamja politike. Kjo do të reflektojë edhe në cilësinë e produktit që do të ketë kjo reformë dhe njëkohësisht vonesa do të ketë implikime jo pozitive për KQZ.  Partitë janë ato që janë, kanë atë kulturë të debatit politik dhe as nuk më takon të bëjë gjykatësin e tyre. Ajo që mund të them është se procesi është mirë të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Nëse do vazhdojë të kalojë kjo situatë pa bërë asgjë do të jemi në pozitën kur ndryshimet e minutës së fundit do jetën objekt i konfliktit politik dhe do krijojnë probleme.