“Paçavure” me historinë, Pëllumb Xhufi rikthen debatin për tekstet shkollore

Debati për historinë e luftës nacional çlirimtare mbetet i fortë mes studiuesve! Nga Vlora, Pëllumb Xhufi riktheu debatin për cilësinë e teksteve që sipas tij kanë bërë paçavure historinë.

Ishte ndër çetat partizane kryesore në Vlorë gjatë luftës nacional çlirimtare.

79 vjetori i Çetës “Ismail Qemali” themeluar në Karbunarë bëri bashkë pasardhës të protagonistëve me studiuesit e historisë.

Pëllumb Xhufi, ri-ngriti aty alarmin siç e quan për cilësinë e librave të historisë në sistemin arsimor.

" I keni me thes librat e tyre që shtrembërojnë dhe përdhosin e shkelin me këmbë mbi gjakun e dëshmorëve të kombit. Rrisin një brez të ri, po them në pikëpamje edhe kulturore, por dhe intelektuale të shpërfytyruar"

Ndërsa Ëngjëllush Avdulaj, si pasardhës i tre pjesë-marrëve në luftë theksoi nevojën për të vlerësuar ata që dhanë jetën për lirinë e vendit dhe që historia të mos harrohet.

" Historia nuk mund të harrohet, armiqtë e demokracisë nuk zhduken kurrë siç po i shihni edhe sot në kufijtë e Evropës, ndaj jemi të vendosur ti dalim për zot historisë sepse kështu kemi të sigurt të ardhmen. Në jemi krenarë që jemi sërish në anën e duhur të historisë. "

Aktiviteti që përkujtoi dëshmorët e Karbunarës së Vlorës u përshëndet edhe nga përfaqësues të qeverisë e bashkisë.