Presidenti i ri, Alibeaj: Procesi të jetë transparent, jo i mbyllur në zarf

Partia Demokratike ende nuk e ka vendosur nëse do të kërkojë diskutime mes të gjithë opozitës për zgjedhjen e presidentit.

Nga hyrja e selisë së Kuvendit Enkelejd Alibeaj edhe pse nuk e ka mbështetjen e të gjithë deputetëve demokrat, nuk u shpreh i qartë as për propozimin e Fatmir Mediut.

Alibeaj: Ne kemi grupin Parlamentar të PD, janë grupet e tjera parlamentare. Do jetë Grupi Parlamentar yni i cili do vendosë mbi qëndrimin sigurishe edhe mbi procedurat e procesin e konsultimit", tha ai.

Nga selia e kuvendit ai kundërshtoi formulën e propozuar nga socialistët teksa foli dhe për mbledhje të grupit parlamentar.

Alibeaj: Presidenti ashtu si e thotë Kushtetuta është kryetar i shtetit dhe mbi të gjitha përfaqëson unitetin. Ky është frymëzimi nga i cili duhet të niset procesi. Nëse një proces është gjithëpërfshirës e transparent, jo i mbyllur në zarf do japë produktin e duhur. Duhet nisur me këmbën e mbarë, duke respektuar Kushtetutën dhe traditën e deritanishme e zgjedhjes së Presidentit. Unë besoj se kushdo me një ngjarje kaq të madhe siç është zgjedhja e kreut të shtetit, procesi duhet të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe në sytë e shqiptarëve. Për këtë arsye të gjithë e dimë se cila është procedura e zgjedhjes së Presidentit. Në raundin e 4 dhe të 5 zgjidhet me votat e mazhorancës, por kjo nuk duhet përdorur si një mjet për ta futur në zarf. Kjo e bën joserioze dhe nuk është asgjë tjetër veçse ai që është qëndrimi real i mazhorancës.

Në tre raunde presidenti mund të zgjidhet vetëm nëse arrihen 84 vota. Pas kësaj emri që do të pasojë Ilir Metën mund të kalojë edhe me 71 mandate të PS.