Këshillimi Kombëtar, Rama njofton hapin e radhës: Në maj ministra, deputetë e kryebashkiakë do zbresin në terren
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar hapin e radhës që PS do ndërmarrë pas rezultateve të Këshillimit Kombëtar. Ai u shpreh se Këshillimi Kombëtar dhe rezultatet e Këshillimit do të jenë prioritet për qeverinë në mënyrë që të adresohen me shpejtësi dhe me cilësi vendimmarrjet e qarta falë kontributit të mbi gjysmë milioni shqiptarë.
Rama: Në këtë proces janë angazhuar të gjithë ministrat dhe pas kësaj mbledhje kemi një takim për të parë se ku jemi me të gjitha iniciativat e nevojshme. Sapo të jenë bërë gati draftet e para do duhet të bëjmë një cikël diskutimesh me grupin dhe pastaj paralelisht me komisionet përkatëse. Janë disa akte të rëndësishme ligjore që duhet t'i ndërmarrim dhe do bëjmë çmos për këtë brenda këtij sesioni.
Të gjitha ato nisma të mund të fillojnë zbatimin dhe njerëzit ta shikojnë konkretisht rezultatin e Këshillimit Kombëtar dhe të pjesëmarrjes së tyre. Nga ana tjetër ajo që është e rëndësishme është përpilimi i Këshillimit të ardhshëm Kombëtar dhe me shumë gjasa do na duhet ta bëjmë në fund të vitit. E treta lidhur me këtë, në vijim në periudhën maj-qershor do të organizojmë një lëvizje në të gjithë Shqipërinë me pjesëmarrjen e të gjithë ministrave, të gjithë deputetëve dhe kryetarëve të bashkive për të trajtuar qoftë temat e këtij këshillimi Kombëtar, qoftë temat që shqetësojnë komunitete të ndryshme dhe për të adresuar problematikat që hasemi në nivelin e qeverisjes qendrore dhe vendore.
