Borë e shi në rrethe, dimri ikën me Pashkët Ortodokse

Reshjet e dëborës u rikthyen në zonën e Dardhës në Korçë, ndërsa i gjithë vendi është përfshirë nga moti i freskët me temperatura të ulëta. Efektet e dimrit, parashikohet të ikin në fundjavë.

Kjo ishte pamja që i kishte dhënë dëbora zonës së Dardhës në Korçë këtë të martë.

Reshjet u rikthyen gjatë natës me intensitet të ulët edhe pse jemi në mes të pranverës.

Dëbora kishte shtruar pak centimetra në tokë dhe kishte zbardhur pemët përgjatë rrugës drejt zonës turistike.

Nën tisin e bardhësisë në rrugë qarkullohej lirshëm dhe nuk pati raportime për asnjë incident.

Kjo javë e tretë e Prillit parashikohet të kalojë mes mot të freskët e rënie të temperaturave në të gjithë vendin.

Sipas parashikimeve nuk do të mungojnë as reshjet, edhe pse të pakta dhe të izoluara kryesisht në zonat veriore të vendit.

Temperaturat e ajrit do të luhen në vlerat ditore  nga 0°C deri në 18°C.

Era do të fryjë e lehtë dhe deri mesatare me shpejtësi 30 km/h nga verilindja duke krijuar dallgëzim deri në 2 ballë në det.

Parashikimet janë se kushtet atmosferike do të përmirësohen në fundjave, kur temperaturat do të arrijnë deri 25 gradë celcius.

Borë e shi në rrethe, dimri ikën me Pashkët Ortodokse