Ukraina nis procesin e anëtarësimit në BE

Ukraina ka plotësuar një pyetësor i cili do të jetë pikënisje për Bashkimin Evropian për të vendosur për anëtarësimin e saj.

“Sot, mund të them se dokumenti është kompletuar nga pala ukrainase”, tha Ihor Zhovkva, nënkryetari i zyrës së Presidentit Volodymyr Zelenskiy, për transmetuesin publik ukrainas të dielën në mbrëmje.

Komisioni Evropian do të duhet të miratojë një rekomandim  me kriteret e nevojshme të anëtarësimit, shtoi ai.

“Ne presim që rekomandimi të jetë pozitiv dhe më pas topi do të jetë në anën e shteteve anëtare të BE-së."

Zhovkva shtoi se Ukraina pret të marrë statusin e një vendi kandidat për anëtarësim në BE në qershor gjatë një takimi të planifikuar të Këshillit Evropian.

Këshilli Evropian do të takohet në datat 23-24 qershor, sipas planit të Këshillit në faqen e tij të internetit.

“Më pas, do të na duhet të fillojmë bisedimet e pranimit. Dhe pasi t'i zhvillojmë ato bisedime, tashmë mund të flasim për anëtarësimin e plotë të Ukrainës në BE, "tha Zhovkva, shkruan The Guardian.