Turqia nis ofensivë të re kundër militantëve kurdë në Irak

Turqia ka njoftuar se ka nisur një ofensivë të re nga ajri e toka kundër militantëve kurdë në veri të Irakut.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar tha se mjetet e tij ushtarake janë përfshirë në një sulm kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Ministri Hulusi Akar: Njësitë ushtarake dhe forcat speciale, të mbështetur nga avionët e helikopterët janë përfshirë në ofensivën kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit në rajonet Metina, Zap dhe Avashin-Basyan, në veri të Irakut.

Turqia pretendon se Partia e Punëtorëve të Kurdistanit po planifikonte një sulm në shkallë të gjerë kundër shtetit turk.

Sipas ministrit, në orët e para të së hënës janë shkatërruar disa streha, tunele e depo municionesh që i përkasin organizatës së PKK.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Kjo organizatë po kryen një kryengritje kundër Ankarasë që prej vitit 1984.

Turqia vazhdimisht kryen sulme në Irak, ku PKK ka bazat dhe kampet trajnuese pranë kufirit turk.