Gati festa e titullit, Bayerni e afron për sfidën me Dortmundin
Dështuan në çerekfinalet e UEFA Champions League por në Gjermani po bëjnë atë që rrallëkush po e bën në futbollin modern. Bayern Munich e ka çuar sërish në plus 9 pikë diferëncën me Borussia Dortmund. Pasdite e qetë në Bielefeld për kampionët në fuqi që fituan lehtësisht 3-0 në një ndeshje ku edhe mund të reflektonin zhgënjimin e largimit nga Europa. Në kulmin e zhurmës së kërcënimeve që ka denoncuar trajneri Nagelsman, Bayern bëri deryrën në një 90 minutësh ku shënoi fillimisht me një autogol dhe më pas me Gnabry e Musiala.
Titulli numër 32 në historinë e bavarezëve është një formalitet ndërsa suksesi këtë sezon do të kompletonte ciklin 10-vjeçar të gjigandëve të futbollit gjerman, të cilët nuk njohin rivalë që prej sezonit 2011-2012 kur ishte Borussia e Klopp që u shpall fituese e Bundesligës. Javën e ardhshme në Mynih, skuadra e Nagelsman mund të festojë zyrtarisht titullin e dhjetë dhe këtë mund ta bëjë në ndeshjen direkte me ndjekësit nga Dortmundi.
