Kaloi Atlantikun e vetme, avokatja britanike që shkroi historinë
Në profesion është avokate por përtej rutinës në zyrë ajo preferon sportet ekstreme. Britanikja Victoria Evans është bërë e para femër që kalon Atlantikun me një varkë me vela. Shfrytëzoi erën në favorin e saj pasi u nis nga Tenerife në Spanjë në datën 11 shkurt dhe pas 40 ditësh, 35-vjeçarja përshkoi 4740 km për të arritur në Ishujt Barbados.
Pavarësisht motit jo shumë ideal, ajo e theu rekordin e mëparshëm me 8 ditë por kjo ishte një aventurë që e rrezikoi jo pak dhe tashmë që furtuna ka kaluar, ajo shprehet se ishte një vendim shumë i guximshëm.
“Ishte shumë më e vështirë se sa e prisja, jo fizikisht por në lidhje me kushtet atmosferike. Sipas të gjitha gjasave unë u përnballa me erën më të fortë të viteve të fundit mbi Atlantik për një periudhë shumë të gjatë”
Evans ka kaluar katër vite për të përgatitur këtë udhëtim dhe e shtyu nisjen me një vit për shkak të pandemisë Covid-19. Gjumi ishte një luks gjatë udhëtimit ndërsa shpesh herë kabina rrezikoi të përmbytej por saktësisht pas 40 ditëve dhe 19 orëve, avokatja britanike ia doli mbanë duke vendosur një rekord botëror që vështirë se dikush mund ta thyejë së shpejti.
