Kërcimi bashkon

Prima balerinët rusë dhe ukrainas, francezë, spanjollë dhe moldavë, të gjithë së bashku, do të jenë të enjten në skenën e Teatrit “Arcimboldi” në Milano, për të përcjellë një mesazh paqeje. Me ta është bashkuar edhe Jacopo Tissi, balerin i parë në Teatrin “Bolshoi”, i cili u kthye në Itali në fillim të pushtimit rus të Ukrainës.

Balerinët do të takohen për herë të parë për të kërcyer së bashku për një projekt të rëndësishëm bamirësie: të ardhurat e mbrëmjes në fakt do t'i dhurohen fondit #MilanoAiutaUkraine, i promovuar nga Bashkia e qytetit.

Ky është një event ekskluziv me protagonistët e mëdhenj ndërkombëtarë të botës së baletit të gjithë të bindur se vallëzimi dhe arti shërbejnë për bashkimin dhe jo përçarjen.

 “Jam shumë i lumtur që pata mundësinë të organizoj këtë mbrëmje. Ka miq dhe artistë nga e gjithë bota, rusë, ukrainas, evropianë, të gjithë së bashku për këtë mbrëmje kërcimi që synonnë fakt një mesazh bashkimi”, tha Jacopo Tissi gjatë konferencës për shtyp para shfaqjes.

“Arti është një formë komunikimi mes njerëzve që duhet të mbetet gjithmonë i hapur”, shpjegoi drejtori artistik i Teatrit. Gianmarco Longoni.

Për disa javë, aktivitetet e shumë kompanive të baletit ukrainas janë ndalur dhe turnetë e tyre ndërkombëtare janë pezulluar. Kështu, koreografët dhe kërcimtarët përjetojnë një moment dhimbjeje dhe mobilizohen nga perëndimi në lindje, në mbështetje të paqes, me vendosmëri dhe ndjenjë.

Në shfaqje do të performojnë edhe balerini spanjoll Sergio Bernal, francezi Simon Ripert, italianët Sasha Riva dhe Simone Repele si dhe Eugenia Korshunova, prima balerina e teatrit të Kievit.