Veshjet e ricikluara, trendi i ri që po “shpëton” planetin

Keni një dollap plot me rroba që nuk i vishni kurrë?

Ndoshta ju pëlqen kursimi, por nuk keni nevojë të zgjeroni më tej dollapin me veshje të tjera. Në vend që t'i dhuroni, t'i shisni me çmim të lirë ose t'i hidhni në plehra rrobat tuaja, pse të mos t’i ktheni ato, duke i transformuar në trendet e reja të modës.

Në emisionin e pasdites “Jeto me Orën” të ftuara në studio, dy stilistet e njohura, Katerina Zoto dhe Sada Peça folën për trendet e veshjeve të ricikluara.

Katerina Zoto: Pasioni për modën dhe stilimin e rrobave ka nisur që kur isha në moshë fare të vogël.

Sada Peça: Edhe për mua pasioni për modën ka nisur që kur unë kam qenë e vogël dhe kur kuptova se moda do të thoshte shumë për mua.

Katerina Zoto: Në fillim kisha qejf fustanet me detaje, ndërsa tani jam kthyer në stil shumë më mashkullor. Stili ndryshon me kalimin e viteve.

Sada Peça: Duke parë çfarë kemi në dollap, ne mund të krijojmë një minikoleksion që do të na identifikojë në stilin tonë. Në këtë mënyrë, do të kursejmë edhe para.

Stilistet japin edhe këshilla kur vendim të riciklojmë një veshje.

Katerina Zoto: Në fakt këshillat qëndrojnë që në momentin e parë që blejmë një veshje. E mira është të mos blejmë “shumë e për lumë”, ato nuk vlejnë as për t’u ricikluar. Duke blerë pak veshje, të sakta, ato do kenë materiale më cilësore. Këto veshje mund ti ruajmë për t’i sjellë në forma të ndryshme. Kështu, këshilla ime është “hiqni dorë nga blerjet e shumta, për t’u dukur ndryshe, sepse nuk është me rëndësi të dukemi ndryshe, por mirë.

Sada Peça: Jo çdo gjë riciklohet. Varet dhe nga gjendja e rrobës që kemi në dollap dhe ideja nëse është apo jo e riciklueshme. Këtu flasim për materialet, nëse ato janë të riciklueshme. Edhe kur ndodh të kemi mëdyshjet tona, jetojmë në botë sociale dhe mjafton ti hedhim një sy trendeve për të kuptuar çfarë është në modë.