Rusia konfirmon fundosjen e anijes kryesore luftarake “Moskva”
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë konfirmon se anija kryesore luftarake e saj “Moskva”, është fundosur.
Anija u fundos rrugës teksa po tërhiqej për ta çuar në një port të sigurt.
“Gjatë tërheqjes për në bazën e saj, "Moskva", për shkak të dëmtimeve që pësoi gjatë zjarrit, humbi stabilitetin”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Gjatë ditës, ka pasur raporte kontradiktore për këtë anije që gjerësisht është parë si krenari e Rusisë në Detin e Zi.
Kievi pretendon se e goditi anijen luftarake me raketat e tij, por Moska nuk ka përmendur asnjë sulm.
Megjithatë, vonë mbrëmjen e sotme, media shtetërore ruse dha lajmin se anija ishte humbur.
"Ndërsa po tërhiqej ... drejt portit të destinuar, anija humbi ekuilibrin për shkak të dëmtimit të pësuar. Duke pasur parasysh detin e trazuar, anija u mbyt," citon ministrinë agjencia shtetërore e lajmeve Tass.
