Gjermania konfiskon jahtin më të madh në botë në pronësi të oligarkut rus
Gjermania ka konfiskuar zyrtarisht superjahtin më të madh në botë në pronësi të oligarkut rus Alisher Usmanov, si pjesë e sanksioneve kundër Moskës pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, thanë të enjten burime policore.
"Dilbar" i gjatë 156 metra (1680 feet) ka një vlerë prej 600 milionë dollarësh (555 milionë euro) sipas revistës Forbes.
Që nga tetori i kaluar, varka është ankoruar për riparime në një kantier detar në Hamburg.
Doganat gjermane e kishin vënë në sy superjahtin për disa javë, por nuk mundën ta konfiskonin zyrtarisht atë më herët për shkak të një mosfunksionimi ligjor mbi pronësinë e tij.
Por, Policia federale gjermane la të kuptohet se ka pasur sukses “pas hetimeve të gjata, dhe pavarësisht nga fshehja përmes kompanive ‘offshore’, ka identifikuar pronaren e ‘Dilbar’, e cila është Gulbakhor Ismailova, motra e Alisher Usmanovit”.
“Jahti luksoz është tani nën regjimin e sanksioneve dhe kështu mund të konfiskohet në Hamburg”, shtoi policia në Twitter.
Miliarderi rus dhe motra e tij janë të dy në shënjestër të sanksioneve evropiane kundër oligarkëve rusë, si dhe anëtarëve të familjeve të tyre.

Usmanov, 68 vjeç, u rendit i gjashti në listën e Sunday Times të njerëzve më të pasur në Mbretërinë e Bashkuar në 2021.
Ai është një nga dhjetëra oligarkët rusë të goditur nga sanksionet perëndimore që kur Moska filloi pushtimin e saj në Ukrainë.
Të mërkurën, klubi anglez i futbollit në Premier League Everton pezulloi marrëveshjet e tij të sponsorizimit me disa kompani në të cilat Usmanov kishte aksione, shkruan France 24.
Konfiskimi i "Dilbar" është vetëm i fundit në një varg konfiskimi të superjahteve ruse nën sanksionet perëndimore.
