Shpërthen gjigantja ruse në Detin e Zi, ukrainasit pretendojnë se e kanë sulmuar me raketa

Anija gjigante luftarake 40-vjeçare ‘Moskva’ ka shpërthyer në flakë në Detin e Zi. Ukrainasit pretendojnë se e hodhën ata në erë, ndërsa rusët thonë se anija u përfshi nga flakët për shkaqe aksidentale. Në bord kishte rreth 500 persona.

Autoritetet ukrainase pretendojnë se kanë hedhur në erë anijen luftarake ruse ‘Moskva’ në Detin e Zi.

Zyrtarët ukrainas thanë se raketat e tyre anti-anije të llojit Neptun goditën me sukses anije ruse ‘Moskva’ duke i vënë flakën.

Kështu tha kreu i administratës ushtarake në Odesa dhe këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se anija është përfshirë nga flakët si pasojë e shpërthimit të municioneve luftarake.

Ndërsa Ukraina thotë se rreth 500 anëtarë të ekuipazhit kanë vdekur si pasojë e shpërthimit, Rusia tha se ata janë evakuuar.

Anija raketahedhëse është lëshuar në vitin 1979 nga Bashkimi Sovjetik.

Ajo kishte rreth 16 raketa kundër anijeve luftarake dhe dhjetëra të tjera kundër avionëve.

Anija ‘Moskva’ është pjesë e Flotës së Detit të Zi dhe ka qenë e angazhuar në operacione në brigjet e Ukrainës që nga muaji shkurti.