Me 185 ditë në Gjermani konvertim patente pa provim, nënshkruhet marrëveshja në Tiranë
Shqipëria dhe Gjermania nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen e përbashkët që i hap rrugën për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve.
Marrëveshja u firmos nga Sekretari Parlamentar i Shtetit pranë Ministrisë Federale për Zhvillimin Digjital dhe Infrastrukturën, Oliver Luksic dhe Ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën, Belinda Balluku.
Rregullat e reja hyjnë në fuqi më 1 qershor 2022. Zotëruesit e një lejeje drejtimi të kategorive A, A1, A2, B, BE, C, C1, C2, D, D1, D2 (motorr, veturë, kamion, autobus), të lëshuara pas datës 24 janar 2017, mund të bëjnë konvertimin pa qenë nevoja e një provimi të ri.
Kjo vlen për shtetas me rezidencë në Gjermani (qëndrimi në Gjermani për të paktën 185 ditë në vit).
Përmes kësaj marrëveshjeje për bashkëqytetarët/et shqiptarë/e në Gjermani krijohet mundësia e një aksesi të sigurt ligjor në tregun e punës, për të cilin shpesh leja e drejtimit të automjeteve është kriter i rëndësishëm.
Për Gjermaninë kjo njohje përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në mënjanimin e mungesave të fuqisë punëtore të kualifikuar.
