U ekzekutua me breshëri plumbash në lokal, Nazmi Bandula dyshohet se u vra për hakmarrje
Krimi goditi sërish në Shkodër. Nazmi Bandula, 55 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri teksa kishte dalë për kafen e mëngjesit. Autorët erdhën dhe u larguan nga vendngjarja me një makinë dhe ende mbeten të lirë. Hetimet për motivet përfshijnë edhe të shkuarën e dyshuar të objektivit të atentatit.
Një 55-vjeçar u vra në Shkodër këtë të martë. Ishte ora 08:15. Nazmi Bandula sapo kishte dalë nga shtëpia për kafen e mëngjesit, pranë banesën së familjes në lagjen “Partizani”.
Ndodhej pranë këtij lokali kur u qëllua me breshëri arme zjarri.55-vjeçari ndërroi jetë menjëherë aty për pasojë të plumbave që mori në trup.
Filxhanët e lëna në tavolinat e lokalit tregojnë se krimi ndodhi në sy të personave të tjerë, që fatmirësisht i shpëtuan breshërisë së plumbave.
Gjurmët në derën e xhamat e lokalit dhe gjaku në mes të rrugës mbetën dëshmi e krimit që duket i planifikuar.
Autorët e krimit ndërkohë u larguan nga zona me shpejtësi dhe kanë humbur gjurmët.
Veprimet e para hetimore pas vrasjes, nuk dhanë efekt dhe ata mbeten të lirë në arrati.
55-vjeçari rezulton person problematik dhe i skeduar.
Në dhjetor të vitit 2020, atij i vunë në eksploziv në makinë jo shumë larg vendit ku u ekzekutua, ngjarje që nuk u zbardh.
Po ashtu emri i Nazmi Bandulës ka qenë i përfolur nën zë edhe për përfshirje në shfrytëzim prostitucioni dhe vrasje.
Në këto kushte hetimi për zbardhjen e krimit mësohet se do të shtrihet në disa pista.
Dëshmitarët dhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, pritet të ndihmojnë në zbardhjen e dinamikës dhe ndoshta identifikimin e autorëve.
