Banorët e 7 fshatrave më Tepelenë rrezikohen nga shembja e urës qindra vjeçare
Dëmtimi i urës së Beçishtit mbi Vjosë po rrezikon banorët e 7 fshatrave në zonën e Tepelenës. Objekti i ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës po rrezikon të shkatërrohet plotësisht, ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë vënë dorë mbi të.
Banorët e zonës thonë se dëmtimi i urës po e bën të rrezikshëm përdorimin e saj veçanërisht për fëmijët.
Ura e Beçishtit mbi Vjosë, është amortizuar vit pas viti ndërsa banorët shprehin shqetësim se dëmtimet e saj mund të sjellin ngjarje tragjike.
Kjo urë 260 metra e gjatë shërben si pikë-kalimi për banorët e 7 fshatrave në Tepelenë
Dërrasat janë kalbur duke rrezikuar sigurinë e kalimit mbi urë.
" Shiko janë kalbur dërrasat, po janë bërë ca vite që nuk është ndërhyrë"
" I bëjmë thirrje bashkisë së Tepelenës që të marrin masat që ta rregullojnë urën'
" Është shumë e rrezikshme aq shumë sa nuk ka ku të shkoj më" thonë banorët.
Prindërit thonë se më problematike është situata me fëmijët që rrezikohen çdo ditë teksa kalojnë lumin.
" Fëmijët e vegjël që kalojnë u futen këmbët poshtë se dërrasat janë të kalbura. Fëmijët shkojnë në shkollë, na shkon dita poshtë e lart me fëmijët"
" Kalojnë fëmijë të vegjël dhe mund të thyej këmbën mund të bie në lumë, Vjosa është lumë i rrezikshëm, është lum i madh"
Ura është ndërtuar rreth viteve 1819 nga Ali Pashë Tepelena.
I vetmi investim ka qenë ai i një qytetari hollandez rreth 10 vite më parë, i cili pasi pa gjendjen e urës, i bëri fotografi dhe mblodhi në Hollandë 30 mijë euro për restaurimin e saj.
Prej vitesh objekti nuk ka përfituar asnjë investim për restaurim ndonëse përfaqëson një monument me vlera kulturore dhe arkitektonike të zonës.

