Zelanda e Re dërgon aeroplan "Hercules" dhe personel në Evropë për të mbështetur Ukrainën

Zelanda e Re tha të hënën, 11 prill  se do të vendosë një avion  "C-130 Hercules" dhe 58 persona personel në Evropë për të mbështetur më tej Ukrainën kundër pushtimit të Rusisë.

Ekipi do të udhëtojë në të gjithë Evropën duke transportuar pajisje dhe furnizime në qendrat e shpërndarjes, por nuk do të hyjë në Ukrainë, tha në një deklaratë ministri i Mbrojtjes Peeni Henare.

Qeveria tha gjithashtu se do të dhuronte 9 milionë dollarë shtesë për mbështetjen ushtarake, ligjore dhe të të drejtave të njeriut.

Kryeministrja Jacinda Ardern tha se mbështetja e Zelandës së Re ishte për të ndihmuar Ukrainën të zmbrapste pushtimin rus, sepse paqja në rajonin e Evropës ishte thelbësore për stabilitetin global.

"Një sulm i tillë flagrant ndaj sovranitetit të një vendi është një kërcënim për të gjithë ne dhe kjo është arsyeja pse edhe ne kemi një rol për të luajtur," tha Ardern, shkruan VOA

Rusia e quan veprimin e saj në Ukrainë një "operacion special".