Anglia në krizë për mësues, sondazhi: Gjysma duan të largohen deri në 2027 për shkak të stresit

Sindikatat e arsimit në Angli kanë botuar një statistikë për arsimin vendor ku paraqesin një skenar tejet negativ për vitet në vijim. Mësuesit janë shumë të stresuar dhe situata në mësimdhënie është bërë e pamenaxhueshme. Mbi gjysma e mësuesve kërkon të largohet nga mësimdhënia në pesë vjetët e ardhshëm, dhe po nuk u morën masa, sektorin e pret një krizë e fortë.

Një sondazh i sindikatave të mësuesve në Britani paraqet një situatë të rënduar dhe tejet të rrezikshme për sektorin e arsimit në vendin ishullor nëse nuk merren masa të menjëhershme.

Saj sondazhit të bërë publik që adreson problemet e mësuesve britanikë, rreth gjysma e tyre thonë se do të largohen nga mësimdhënia deri në vitin 2027. Arsyeja kryesore që radhisin është ngarkesa e madhe e punës që sjell stres të pamenaxhueshëm thuajse gjatë gjithë kohës.

Pandemia ka qenë një faktor që e ndikoi shumë arsimin britanik. Një pjesë e madhe e fëmijëve u detyruan ta kryenin mësimin e tyre në shtëpi ndërsa stafi kishte sfidën për të dhënë mësim në distance.

Sipas ekspertëve të arsimit kriza që po afron është e rëndë dhe duhen marrë masa të menjëhershme. Rekrutimi dhe mbajtja e mësuesve është sfidë kryesore.

Për shkak të pandemisë shumë shkolla kanë staf të reduktuar sot, ku me qindra mësues janë larguar dhe vendet bosh nuk janë zëvendësuar. Kjo ka sjellë shtim të përgjegjësive të mësuesve që janë staf aktiv.

Sindikatat i bëjnë apel qeverisë se duhet të punojë së bashku me përfaqësuesit e arsimit në mënyrë që t’i kuptojnë më mirë çështjet me të cilat po përballen mësimdhënësit dhe të fillojnë të ndërmarrin ndryshime thelbësore në terren.