Presidenca ndahet mes Macron e Le Pen, dy liderët morën një biletë për në raundin e dytë të zgjedhjeve
Në Francë balotazhi për raundin e dytë të zgjedhjeve do të ndahet mes presidentit Macron dhe lideres së të djathtës ekstreme Marine Le Pen. Më shumë kandidatë u bënë thirrje votuesve të tyre të zgjedhin Macron në 24 prill, mes një të djathte të përçarë kur vjen puna te emri i Le Pen.
Francezët i kanë dhënë një biletë për në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale për të marrë Pallatin Elize liberalit Macron dhe lideres së të djathtës ekstreme Le Pen.
Presidenti Emmanuel Macron ka fituar 27.6% të votave përballë 23,41% të Marine Le Pen.
Sondazhet të cilat iu përafruan rezultateve të së dielës tentuan të parashikonin edhe raundin e dytë të 24 prillit, në të cilat Macron dhe Le Pen do të ndahen me 1-2% në favor të presidentit.
Macron në ndryshim nga viti 2017, kur fitorja ishte më e bindshme u bëri thirrje mbështetësve të tij që të mos brohorisnin ende pasi asgjë nuk ishte mbyllur.
Macron: Në 2 javët e ardhshme le të mos kursejmë asnjë përpjekje, sepse asgjë nuk është mbyllur, me përulje e vendosmëri le t’i bindim të gjithë. Në 24 prill mund të bëjmë zgjedhjen për Francën dhe Evropën së bashku.
Liberali praktikoi strategjinë elektorale për të ftuar mbështetësit e së majtës ekstreme të Zhen Lyk Melensho për të votuar për partinë e tij kundër Marine Le Pen.
Melensho bëri progres krahasuar me vitin 2017, duke marrë 21.95% të votave.
Ai ndërsa foli pas rezultatit u tha mbështetësve që të mos i jepnin asnjë votë Marine Le Pen, por nuk u sugjeroi as për të votuar presidentin aktual.
Liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen u zotua se do të bashkojë Francën në 5 vitet e ardhshme, duke ftuar francezët ta votojnë në 24 prill.
Le Pen: Që tani e tutje i bëj thirrje të gjithë francezëve të të gjitha bindjeve, nga e djathta, nga e majta dhe gjetkë, francezët me të gjitha origjinat, t'i bashkohen këtij tubimi të madh kombëtar dhe popullor. Së bashku do ta ndërtojmë këtë fitore me entuziazëm dhe bindje për të zbatuar ndryshimin e madh që i duhet Francës dhe për fat të mirë ta çojë vendin tonë të madh në mijëvjeçarin e tretë.
Le Pen duket se e ka ndarë në dysh edhe të djathtën.
Kandidatja e Partisë Republikane, Valerie Pecrese e cila mori rezultatin më të ulët në këto zgjedhje, iu tha votuesve të saj që të votojnë për Macron, për të shmangur rrezikun që i kanoset vendit nga e djathta ekstreme.
Ndërsa kandidati tjetër nga radhët e së djathtës ekstreme Eric Zemmour tha se pavarësisht ideve të kundërta me Le Pen, francezët duhet të votonin për të në 24 mars.
